Pediatria Beltina Guçe flet për raportin e vaksinave me autizmin

Vaksinat janë një nga temat më të nxehta në diskutimet në rrethet mjekësore dhe jo vetëm. Në Shtetet eBashkuara të Amerikës po bëhen protesta, ku një pjesë e prindërve kërkojnë që të fëmijëve të tyre të mos iu bëhen vaksinat, me pretendimin se ato ndikojnë në shfaqjen e autizmit. Mjekia pediatre Beltina Guçe, shprehet se përgojimi i tyre është jo i barazpeshuar. Sipas saj, në ditët e sotme po flitet gjithmonë e më shumë për efektet negative dhe lidhjen e mundshme të vaksinave me autizmin dhe po harrohet të merret në konsiderate shpëtimi i miliona jetëve njerëzore për shkak të zbulimit dhe prodhimit të tyre. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqip”, Guçe jep mendimin e saj mbi rëndësinë e kësaj cështjeje kaq delikate.

Çfarë janë vaksinat?

E thënë me fjalë të thjeshta vaksina është një produkt i cili stimulon sistemin imun të organizmit me qëllim mbrojtjen ndaj sëmundjes për të cilën bëhet vaksina. Prindërit kanë shumë pikëpyetje në lidhje me këtë çështje, sepse bëhet fjalë për shëndetin e tyre.

A është e vërtetë që fëmija merr imunitet nëpërmjet qumështit të gjirit dhe sa zgjat ky imunitet?

Pavaresisht se është i pa diskutueshëm roli i qumështit të gjirit në mirërritjen e fëmijëve dhe është i njohur fakti që nëpërmjet tij transmetohen antitrupa, të cilët luftojnë mikroorganizma shkaktare të sëmundjeve, përsëri nuk është rënë dakord në lidhje me nivelin e kësaj mbrojtjeje. Për ta kuptuar më thjeshtë nëse nëna e bebit nuk është sëmurur apo vaksinuar ndaj një semundje të caktuar, në organizmin e saj nuk gjenden antitrupa ndaj këtij mikrobi, rrjedhimisht këto antitrupa nuk do të gjenden as në qumeshtin e gjirit. Si rezultat bebi do të jetë i pa mbrojtur nëse ekspozohet ndaj agjentit që shkakton sëmundjen infektive. Konkluzioni është që nuk mund të mbështetemi vetëm në faktin se një fëmijë po ushqehet me qumësht gjiri dhe të arrijmë në konkluzionin nuk që fëmija është i mbrojtur ndaj sëmundjeve infektive.

Nëse fëmija vaksinohet, a do të thotë kjo që ai është përjetësisht i mbrojtur nga sëmundja?

Në trupin e njeriut egzistojnë dy lloj imuniteti:

1.Imuniteti aktiv, i cili nënkupton imunitetin që prodhohet kur një person ekspozohet ndaj një mikrobi që shkakton sëmundje. Ky ekspozim mund të bëhet si rezultat i transmetimit të sëmundjes nga komuniteti ku jeton ose ekspozimi që bëhet nëpërmjet vaksinës. Ky lloj imuniteti është zakonisht jëtëgjatë dhe në një pjesë të mirë të rasteve, i përjetshëm.

2.Imuniteti pasiv, është imuniteti që transmetohet nga nëna tek bebi nëpërmjet placentës apo qumështit të gjirit. Ky lloj imuniteti nuk është jetëgjatë dhe zakonisht largohet pak javë deri në pak muaj mbas lindjes së bebit.

Në rastet kur imuniteti aktiv është jo i përhershëm, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së vazhdueshme bëhet përsëritja e dozave të vaksinimit. Kjo është arsyeja përse fëmijet marrin disa doza të të njejtës vaksinë. Për shembull vaksina e MMR është e dizenjuar që të sigurojë mbrojtje për të gjithë jetën.Megjithatë kjo mbrojtje nuk është e plotë nëse nuk realizohet vaksinimi me të gjitha dozat e kërkuara.

A është fëmija i rrezikuar për të zhvilluar reaksion nga vaksinat?

Është e rekomanduar që përpara së fëmija të vaksionohet të bëhet një vlerësim i kujdesshëm i gjendjesh shëndetësore dhe zhvillimit psiko-motor.

Pyetje që prindërit duhet t’i konsultojnë me mjekun pediatër janë ato si më poshtë:

-A ka në familje histori të sëmundjeve kronike?

-A bën pjesë fëmija në grupin e fëmijeve që sëmuren shumë shpesh?

-Sa shpesh kërkohen antibiotikë për trajtimin e sëmundjes?

-Çfarë lloj alergjish ka fëmija im?

-A ka zhvilluar ndonjëherë konvulsione?

-A bën pjesë femija në grupin e fëmijëve me prapambetje në zhvillim?

Synimi i këtyre pyetjeve bëhet me qëllim, vlerësimin e detajuar dhe shmangien sa më shumë të jetë e mundur të efekteve jo të dëshiruara të vaksinës.

A duhet vaksinuar një fëmije i semure?

Normalisht në konsultor apo klinika pediatrike përpara vaksinimit gjithmonë duhet bërë një vleresim paraprak i gjendjes së fëmijës dhe matja e temperaturës. Në varësi të ketij vlerësimi përcaktohet nëse vaksinimi do të bëhet sipas skedës së paracaktuar apo vaksinimi do të shtyhet deri në përmiresimin e gjendjes së femijës.

Bazuar në udhezimet e qendrës sëkontrollit të barnave dhe sëmundjeve (SHBA) vlersimi bëhet duke konsideruar faktorët e mëposhtem:

Nuk është nevoja të shtyhet vaksinimi nëse:

1-Fëmija është duke kaluar një sëmundje të lehtë

2-Fëmija është duke marrë antibiotikë për infeksione të vogla

A është e nevjshme shtyrja e vaksinave dhe në çfarë rastesh konktretisht?

Kur është duke kaluar një semundje me rëndësi të moderuar ose serioze, vaksina e radhës duhet të shtyhet deri në shërimin e plotë të tij. Një rast tjetër është kur fëmija është në terapi antivirale.

Për prindërit është shpeshherë e vështirë të bëjnë një vleresim adekuat të gjendjes shëndetësore të femijes së tyre, prandaj për arritjen e konkluzioneve të mira vlerësimi duhet të bëhet nga bashkëpunimi prind- mjek.

A shkaktojnë vaksinat autizëm?

Në një raport të publikuar rsitaz, rezulton se numri i fëmijëve me autizëm është 1 në 45. Duke qenë së numri është i lartë dhe shihet një tendence në rritje është plotësisht e justifikueshme që prinderit të konsiderojnë çdo faktor të mundshëm me qëllim mbrojtjen e fëmijëve të tyre. Vaksinat vazhdojnë të mbeten në qendër të këtyre diskutimeve. Pavaresisht se studimet e deri më tanishme tregojnë që faktorët e jashtëm veprojnë mbi individë të cilët janë gjenetikisht të predispozuar për të zhvilluar sëmundjen, nuk është përcaktuar saktësisht se çfarë e shkakton autizmin.

Gjithsesi ajo që duhet mbajtur parasysh nga prindërit është fakti që siguria dhe efektiviteti i vaksinave mbahen vazhdimisht në mbikëqyrje. Testet e sigurisë së vaksinave realizohen para se vaksinat të hidhen në qarkullim dhe gjatë kohës që ato janë në qarkullim, monitorohen vazhdimisht me qëllim parandalimin e dëmit nëe shëndetin e fëmijëve.

Ku bazohen prindërit, që pretendojnë se vaksinat shkaktojnë autizëm tek fëmijët e tyre?

1-Bërja e njëkohshme e shumë vaksinave mund të çorientojë sistemin imunitar

2-Vaksina e MMR (fruth, rubeolë, parotid)

3-Konservuesi Timerosal ( që në fakt nuk ka qenë prezent asnjëherë në vaksinën e MMR)

Në lidhje me të gjitha këto dyshime janë bërë studime të kujdeshme (të cilat janë lehtësisht të aksesueshme për publikun nëpërmejet internetit) nga të gjitha këto studime ka rezultuar se vaksinat janë një mjet efektiv dhe i rëndesishëm në parandalimin e sëmundjeve serioze.

Dukes besuar se materiali i mësipërm ka hedhur pak më shumë dritë në informimin tuaj, e përmbledh këtë shkrim duke cilësuar se ashtu siç do medikament tjetër, vaksinat mund të sjellin efekte të pa dëshiruara dhe ndonjëherë serioze por, do sygjeroja që çdo prind të qendroje mendje hapur, të bëjë pyetje, të kërkojë përgjigje dhe të diskutojë me mjekun pediatër përpara se të mbajë një qëndrim konservativ kundër vaksinave. Qendrime të kesaj natyre mund të ekspozojnë fëmijën tuaj ndaj sëmundjeve dhe rreziqeve të panevojshme, që prej vitesh janë shmangur falë vaksinimit.

 Burimi: Gazeta Shqip

Share With:
Translate »
1052 Views