Plazhi për fëmijët dhe foshnjat

Nëse pushimeve të sivjetshme të verës iu është shtuar edhe një gëzim, një fëmijë, atëherë ne po ju sjellim disa këshilla për të mbrojtur lëkurën e tyre delikate nga rrezet e diellit, nëpërmjet kremrave dhe rroba banjeve të duhura.

Rrobat e banjeve dhe kremrat që duhet t’i përdorni

Tashmë është koha e detit, diellit dhe e pishinave. Mos harroni kremin kundër diellit, çadrën dhe…rrobat e plazhit! Koha e pushimeve është koha për t’u thënë “Po” rrobave të reja të banjes si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Ne do t’ju sjellim disa këshilla të dobishme për të blerë kostumin më të përshtatshëm për fëmijën tuaj.

Si të zgjidhni kostumin e duhur të banjes

Më kryesorja: ai duhet të jetë komod. Ky duhet të jetë rregulli i parë në momentin që do t’i blini. Kostumi i banjes duhet të jetë i lehtë dhe elastik për t’u veshur dhe për t’u hequr. Nëse në det do të shkoni me një fëmijë shumë të vogël, atëherë kostumi duhet të jetë i përshtatshëm për të mbajtur edhe pelenën. Për më të vegjlit pastaj, preferohet gjithmonë një kostum banje i plotë apo i cili zë pothuajse të gjithë trupin, në mënyrë që t’i mbrojë ata nga rrezet e diellit edhe brenda djepit apo karrocës. Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është cilësia. Kontrolloni qepjet, verifikoni që rroba banjet të mos irritojnë lëkurën delikate të fëmijës suaj dhe mbi të gjitha, të mos humbë ngjyrën. Ne ju këshillojmë të zgjidhni pëlhura natyrale, të cilat favorizojnë ajrosjen dhe nuk e bëjnë lëkurën të djersijë.

Kostumi i plazhit për fëmijët

Rrobat e plazhit të plota janë më komode për vogëlushet. Por deri në moshën 5-6 vjeç ju mund të zgjidhni për to vetëm mbathje plazhi. Akoma më mirë nëse do të shkoni në plazh gjatë gjithë verës, pasi vogëlushja juaj do të mund të nxihet me ngadalë, më mirë dhe pa asnjë rrezik. Ndërsa për vogëlushët, apo për djemtë, si kostum plazhi më të përshtatshme janë padyshim vetëm mbathjet. Ato janë shumë praktike. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë për të që të lëvizë, të vrapojë dhe të luajë, të ndërtojë kështjella rëre për t’i shembur më pas me top me shokët e tij. Gjithsesi cilat do qofshin zgjedhjet tuaja, ne ju kujtojmë të përdorni gjithmonë për fëmijën tuaj kapelen ose shaminë (që tashmë i gjeni më shumë të kombinuara me kostumin e banjes) dhe kremin mbrojtës nga dielli. Ndërkaq nëse fëmija juaj nuk bezdiset nga syzet e diellit, vendosjani edhe ato.

Kremrat solarë për fëmijët dhe për të sapolindurit: mbrojtësit më të mirë

Kremrat solarë për fëmijët dhe për të sapolindurit janë shumë të rëndësishëm për të mbrojtur lëkurën e tyre delikate nga efektet e rrezikshme të diellit. Sidomos në këtë sezon, kohë në të cilën të vegjlit janë më të ekspozuar në diell, në det apo në mal, bëhet i nevojshëm dhe i domosdoshëm aplikimi me kujdes i kremit solar për të shmangur shfaqjen e skuqjeve dhe të djegieve në lëkurën e hollë dhe delikate të foshnjave. Por cilat janë kremrat më të mirë solarë për të vegjlit? Këshilla është që të blini në farmaci kremrat më të mirë solarë posaçërisht për fëmijët. I përshtatshëm do të ishte kremi solar nga “Avene” në formatin spërkatës me mbrojtje të lartë SPF 30. Bëhet fjalë për një formulë speciale e përbërë nga MPI (solucion mbrojtës mineral). Ai është rezistent ndaj ujit, por gjithsesi është mirë që fëmijës tuaj t’ia aplikoni edhe pasi është futur në det. Për të vegjlit janë edhe produktet “Vichy” (Capital Soleil Bambino Spray Viso-Corpo SPF50+). Ai është një spray me një mbrojtje të lartë qoftë për UVA ashtu edhe për UVB përbërës të veçantë antioksidantë që mbrojnë lëkurën nga rreziqet e mundshme. Por si dhe kur duhet t’ia aplikoni kremin solar fëmijës tuaj? Për fëmijët është mirë që kremi solar të aplikohet pak përpara se të shkoni në plazh në mënyrë uniforme, poshtë rrobave të banjes. Por gjithashtu edhe pas çdo here që lahet në det. Kremrat solarë për fëmijët duhet të jenë mbi të gjitha natyralë. Ndërkaq si këshillë e fundit vlen të shmangni orët më të nxehta për të ekspozuar fëmijët tuaj në diell. Për shembull nga ora 12:00 deri në 16:00, fëmija juaj nuk duhet të dalë aspak në diell.

Share With:
Translate »
1254 Views