Prej muajsh në “luftë” për të shpëtuar foshnjën e tyre, dorëzohen prindërit

Historia e këtij vogëlushi ka pushtuar faqet e para të mediave në mbarë botën. Por tashmë duket se historisë po i vjen fundi. Charlie Gard do të lejohet të vdesë, pasi prindërit e tij morën sot vendimin prekës. Britanikët Chris Gard dhe Connie Yates mbërritën në Gjykatën e Lartë mes lotëve, pas një beteje që ka prekur zemrat e miliona njerëzve. Për gjashtë muaj ata luftuan që djali i tyre 11-muajsh të fluturojë për në SHBA, ku do merrte një trajtim eksperimental për sëmundjen e rrallë. Por tashmë ata kanë vendosur të lejojnë të birin të vdesë. Një avokat i familjes tha: “I gjori Charlie. Është shumë vonë. Dëmi është bërë. Për fat të keq koha ka mbaruar.Për fat të keq, dritarja e mundësisë nuk ekziston më. Prindërit e kanë marrë vendimin e vështirë”. Kjo do të thotë se mjekët do i heqin atij ventilatorin e frymëmarrjes që e mban në jetë. Beteja për të mbajtur të gjallë vogëlushin tërhoqi mbështetje ndërkombëtare. Edhe presidenti amerikan, Donald Trump dhe Papa Françesku ofruan ndihmë për të lejuar që vogëlushi të kurohej jashtë Britanisë. Por mjekët dhe më vonë gjykata britanike vendosi se ai nuk mund të trajtohej jashtë me një metodë eksperimentale. Sipas tyre, gjithçka duhej bërë për të shëruar vogëlushin nga një sëmundje fatale, ishte bërë. Fëmija lindi i shëndetshëm, por një muaj më vonë shfaqi probleme. Mjekët thanë se ai vuante nga një sëmundje e rrallë e trashëgueshme, e quajtur sindroma e zbrazjes së ADN-së mitokondriale. Kjo sëmundje sjell dobësim progresiv të muskujve dhe dëmtim të trurit.

 

Share With:
Translate »
1269 Views