Prindër, po i llastoni vetë fëmijët tuaj!

Të jesh prind i mirë, s’do të thotë që t’ia ofrosh fëmijës jetën në një pjatë argjendi. Të jesh prind i mirë do të thotë t’i mësosh dhe t’i edukosh fëmijës respektin për punën, vlerën e jetës dhe përballjen me etapat e jetës reale e kalimin me sukses si një individ i fortë dhe i respektuar.

Që në momentin magjik të prindërimit përgjegjësitë duhet të jenë në lartësinë e duhur, sepse fundja po edukon një individ të vlefshëm për shoqërinë dhe mirëqenien mbarë. Fëmija është si një letër e bardhë, e cila mbushet me shkrimet e tua, për mirë apo për keq, drejt apo shtrembër. Ndaj, të dashur prindër, fëmijët po i dërgoni vetë në greminë! Jeni ju prindër, ata që po shkatërroni sistemin e tyre mendor! Ju prindërit e pasur, që për libër edukimi keni lekun. Mos u ankoni që rinia e sotme është dembele, e papunë, e varur nga teknologjia dhe luksi. Hidhni një sy përtej mureve të pasurisë… Andej jashtë, ka edhe të rinj, të cilët bëjnë punë nga më të ndryshmet, për t’i dalë vetë për zot jetës. Ka edhe të rinj, të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë për të përfunduar një universitet. Ka të rinj që kanë sakrifikuar edhe “qëndrimin me familjen” për të arritur objektivat që i kanë vënë vetes. Ka edhe të rinj, të cilët punojnë pa pushim për të ngjitur shkallët e karrierës, që i kanë premtuar vetes dhe familjes. Ka edhe të rinj, të cilët jeta i ka detyruar të mbajnë edhe familjen e tyre. Ka edhe ndryshe nga ajo që jeni mësuar ju të shihni në rrethin tuaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mos u ankoni për fëmijët tuaj të llastuar, të cilët dinë të bëjnë vetëm një gjë, të shesin mend në një shoqëri kaq të varfër sa e jona.

Po pse, ore prindër të dashur, kjo është jeta?! Të hash para atyre që nuk kanë?!

Jam kurioze të di, çfarë do të bënin fëmijët tuaj, nëse nuk do ishin nën hijen tuaj, nën mirëqenien dhe luksin që ju i keni ofruar? Provoni t’i lini një ditë vetëm, mes katër udhëve ku shumica e të rinjve gjenden çdo ditë. Mos u jepni asgjë! Provoni të mësoni nëse do të mbijetojnë mes botës së egër dhe luftarake. Provoni nëse fëmijët tuaj do të jenë në gjendje të përballen me jetën e vërtetë! Dhe na rrëfeni se cilën udhë do të marrin.

Kam dëgjuar plot raste fëmijësh të prindërve të pasur nëpër botë, por në asnjë moment asnjëri prej tyre nuk i kishte lënë të vegjetojnë me lekët e tyre. Çuditërisht, fëmijët e tyre kanë bërë punë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga kamerier, banakier, shpërndarës gazetash, etj. I vënë të punojnë, të dinë vlerën e jetës dhe të punës, të respektojnë lekun dhe kohën e tyre. Por, ne jemi shoqëri e keqedukuar, pikërisht nga ju prindër të dashur.

Ndaj, boll ia drejtuat gishtin rinisë, në një kohë që jeni ju që me fëmijët tuaj jepni një shembull të keq! Jeni ju që me paragjykimet tuaja formoni individë parazitë dhe të pavlefshëm.

Të jesh prind i mirë, s’do të thotë që t’ia ofrosh fëmijës jetën në një pjatë argjendi. Të jesh prind i mirë do të thotë t’i mësosh dhe t’i edukosh fëmijës respektin për punën, vlerën e jetës dhe përballjen me etapat e jetës reale e kalimin me sukses si një individ i fortë dhe i respektuar. /Arjeta Hyseni – psikologe

Share With:
Translate »
822 Views