Publikoni fotot e fëmijëve në Facebook? Ja çfarë rrezikoni

Fëmija juaj ju bën pafundësisht të lumtur me sjelljet e tij prej të vogli, që sapo ka mësuar të zbulojë botën.

“Befasitë” e tij janë të panumërta gjatë një dite dhe, të përfshirë nga entuziazmi, nuk hezitoni të fiksoni çdo moment përmes imazheve të telefonëve inteligjentë, që na zënë duart gjatë gjithë kohës.

Fjalitë e para, vjersha e festës së radhës, një mimikë, buzëqeshje apo çfarëdo qoftë ajo, ju bën të rrëmbeheni nga dëshira për ta ndarë gëzimin menjëherë me të tjerët dhe, pa u menduar gjatë, i kaloni të gjitha këto imazhe në Facebook, apo në rrjete të tjera sociale.

Por ky aspekt i bukur, plot ndjesi të mira, ka një anë shumë të errët. Në këtë pikë, prindërit ndahen në dy kampe: ata që nuk kufizohen të postojnë gjithçka të fiksuar prej fëmijëve të tyre; dhe të tjerë, të cilët rezervohen në maksimum në ekspozimin e fotove të të vegjëlve. Po të ndjekësh arsyetimet e grupimit të dytë, ata stepen ta bëjnë këtë gjë për një mori arsyesh.

Së pari, imazhet, videot dhe informacionet për ditëlindjen, festat e kopshtit dhe të shkollës, u japin të dhëna keqbërësve, të cilët lehtësisht i marrin ato përmes postimeve, që në mënyrë të pamenduar ju ua keni servirur të gatshme. Me një “click”, ata zbulojnë se ç’pamje ka fëmija juaj, ku edukohet, madje, përmes “check in”-eve të ndryshme, ata janë në gjendje edhe të kontrollojnë lëvizjet tuaja.

Së dyti, ju nuk keni atë lloj informacioni mbi sigurinë, që iu jep garancinë se, fotot e postuara të fëmijëve nga ju vetë nuk do të përdoren nga rrjeti social për qëllime të ndryshme.

Së treti, mos harroni se sot, fëmija juaj është mjaftueshëm i vogël për t’iu penguar t’i postoni imazhet e tyre; por nesër, kur ai të ketë një vetëdije të formuar, mbase do të ndihet në siklet, duke e parë veten në Facebook-un tuaj apo diku tjetër, të shfaqur në shumë momente, ndoshta të pakëndshme për të.

Share With:
Translate »
672 Views