Sakrificat e aktores Eva Alikaj për rritjen e djalit

Koha kur aktorja e njohur e skenës shqiptare u largua nga Shqipëria ishte koha kur ajo ishte në kulmin e karrierës së saj artistike. Rolet e spikatura në teatër dhe në film e kishin kthyer Evën në një prej aktoreve më të pëlqyera të publikut, por megjithatë “ishte koha për të ikur, erdhi momenti për të ikur”, – thotë ajo. Pse e bëri këtë? Pse u largua në një kohë kur fushën në art e kishte thuajse të shtruar, këtë, pas shumë viteve reflektim, nuk di ta thotë me saktësi. Nëse sakrifica ia ka vlejtur, gjithashtu nuk është në gjendje ta thotë me gojën plot për vete, por ama mund ta thotë pa asnjë dyshim për të birin, Xhinon, i cili sot është një djalë 25-vjeçar që po provon skenat më me emër në botë.

E ftuar në “Pasdite ne Top Channel”, Eva Alikaj ka rrëfyer shumë për veten, karrierën e saj të gjatë në teatër, largimin nga Shqipëria në një kohë të trazuar, por edhe për të birin, Xhinon, për të cilin ajo mori një vendim të vështirë që ai të bëhej patjetër dikush.

E pyetur se ç’marrëdhënie ka me djalin e rritur sot, Eva tregon se tashmë ai është 25-vjeçar, ndaj ajo nuk bën më mamin e rreptë: “Nuk e bëj më, sepse jam e detyruar. Sot, nuk e shoh vetëm si djalë. Ai tashmë dëshiron të bëjë gjërat e tij… ka fituar distancë dhe nuk më lejon. Edhe pse do të doja që të më pyeste, por… Ai është djalë shumë i mirë, shumë i talentuar”, – thotë aktorja duke shtuar se Xhino (ai merret me muzikë klasike), tashmë jeton në Shtutgard, ndaj distanca nuk e lejon të jetë “nëna e rreptë.”

Por, me sa duket, e tilla paska qenë dikur: “Nuk e kam koncepruar dot kurrë kur dëgjoja kolegë të mi të thoshin se “unë po vuaj, mos të vuajë edhe ai në këtë rrugë”. Po ta duash fort një gjë dhe po të jetë fëmija i talentuar, duhet të ndihmosh”, – shton aktorja.

“Vjena, vendi i muzikës, këtu 97-a dhe unë shikoja që fëmija im ishte student (jo me moshën e studentit, po nga kapaciteti që kishte ende pa qenë student). Kjo ishte diçka që më motivonte dhe kur ishte fjala për të ardhmen e tij, atëherë pse të mos e motivoja?”

Debate, edhe Eva, ashtu si të gjithë prindërit ka pasur mjaft. Ajo dhe Xhino, shpeshherë “përplaseshin” mes tyre për ide. Kishte raste kur aktorja i kërkonte ta linte në mes atë rrugë të nisur, nëse nuk e pëlqente, por ai nuk e bëri kurrë, përkundrazi, e çoi deri në fund. Ai nuk e la në mes rrugën dhe Evës nuk i shkoi mundi dëm. Por megjithatë, ajo, si nënë me kërkesa të larta, mendon se Xhino mund të bëjë edhe më shumë.

Dhe sot, Xhino e ka kuptuar fuqinë e së ëmës: “E di që jam dikushi, e pranon fuqinë time. Kam pasur fatin që në disa vlerësime të miat të jetë edhe ai prezent. Edhe kur mora çmimin “Mjeshtre e madhe”, ai ishte këtu dhe sot, e vlerëson ndryshe.” Madje, para pak ditësh, i tha së ëmës se për gjithçka kishte pasur të drejtë, por në atë kohë nuk bëhej, sepse në atë kohë Xhino ishte i vogël…

Xhino mund të bëjë edhe më shumë, por sot Eva nuk përzihet më: “Jo se nuk dua, do të doja të përzihesha pak, por ai tani është rritur, tani e ka ai në dorë.” /Revista Class

Share With:
Translate »
922 Views