“Sëmundja më ndryshoi jetën” mamaja e Rita Orës rrëfen si mundi kancerin e gjirit dhe u diplomua si mjeke psikiatre

Një grua e bukur, sharmante dhe fisnike, kjo është Vera Ora, krahu i djathtë dhe mbështetja më e madhë e Ritës. E diplomuar për mjekësi në Rusi, Vera ka punuar për shumë vite si mjeke e përgjithshme në Kosovë deri në vitin 1991 derisa mori vendimin për t’u zhvendosur në Londër, ku dhe ushtron profesionin e saj tashmë e specializuar si mjeke psikiatre. Por, përtej të qenit një grua në karrierë dhe mamaja e një ylli të muzikës, Vera është gjithashtu një luftëtare e vërtetë pasi ka mposhtur kancerin e gjirit, sëmundjen që vret çdo vit me mijëra gra e vajza.

Sëmundja e kancerit të gjirit i dha asaj kthesën më të madhe që mund t’i japë jeta, një betejë nga e cila fitorja nuk është e sigurt, por Vera ia doli mbanë. Në një intervistë për ”Telegrafin”, nëna e këngëtares Rita Orës ka ritreguar historinë e saj e cila mund të jetë frymëzuese për këdo që po përballet me një betejë të tillë.

“Ka qenë një shok i papritur se në ato momente nuk mendon se mund të prekesh nga një sëmundje e tillë. E keqja është se e gjithë jeta të ndryshon menjëhere dhe fillova ta pyes veten a do të mbijetoj? Mendoja posaçërisht për efektin e sëmundjes tek fëmijët e mi. Mirëpo fatmirësisht ishte në fazën fillestare dhe pata fatin ta mposht.  Trajtimet mjekësore kanë qenë të gjata dhe të vështira, u fokusova diku tjetër në mënyrë që ta largoja vëmendjen prej sëmundjes.  Kam kaluar provimin shtetëror gjatë trajtimit dhe kjo më bëri krenare për suksesin tim personal”, u shpreh Vera Ora.

Share With:



188 Views