Shqiptari 29-vjeçar me SIDA ëndërron të bëhet baba
Katër vite më parë, kur ishte në një lidhje dashurie, i riu shqiptar mësoi se rezultonte i infektuar me HIV/AIDS.
Ndonëse mbartës i virusit vdekjeprurës, partnerja s’preferoi të largohej prej tij. Përkundrazi janë të martuar prej dy vitesh dhe si çdo çift tjetër dëshirojnë të sjellin një fëmijë në jetë. Fatmirësisht bashkëshortja nuk është e prekur nga HIV/AIDS.
Në një kronikë sociale në “Top Channel”, 29- vjeçari tregoi se “duhet që partnerja të marrë disa medikamente, të cilat kushtojnë shumë. Rreth 150 mijë lekë.” 150 mijë lekë larg një fëmijë!
Ai rrëfen se një person i prekur me virusin HIV/AIDS nga rrethet vuan shumë. Për të marrë trajtimin mjekësor u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës. Ndonëse shkenca ka përparuar kaq shumë sa t’i mundësojë një të prekuri me HIV/AIDS prindërimin, paratë janë ato që thyejnë ëndrrat në dysh.
Trajtimi mjekësor duhet t’i paraprijë ngjizjes së bebes, por kostoja është një barrë e rëndë për dy të rinjtë që sapo kanë nisur ta ndërtojnë familjen e tyre. 29- vjeçari tregon se situata në spitale s’është aspak e favorshme për të.
“Marr medikamente, por jo në mënyrë të rregullt, sepse shpesh mungojnë”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ende sot vështrohet gjithë përbuzje kushdo që është mbartës i HIV- it. I riu pranoi se ndihet i diskriminuar nga shoqëria por edhe mjekët, ata që supozohet të jenë në anën e tij.