Skarlatina, sëmundja infektive e fëmijëve. Si të dallojmë simptomat

Çfarë është skarlatina dhe cili është shkaktari ?

Ethet e kuqërremta ose skarlatina është një sëmundje infeksioze , ngjitëse, që shkaktohet kryesisht nga streptokoku i grupit A. Streptokoku i grupit A prodhon një toksinë (helm) që jep skuqjen karakteristike të lëkurës prej nga merr dhe emrin sëmundja. Zhvillohet tek njerëzit që kanë të pranishëm bakterin e streptokokut në fyt. Skarlatina është më e zakonshme te fëmijët e moshës 5-15 vjeç, por në praktikën klinike vihen re prekje të zakonshme dhe të moshave 2-5 vjeç, me një pik maksimal të prekjes në moshat 5-6 vjeç. Njihet si sëmundje serioze e fëmijërisë por sot trajtimi me antibiotikë e ka zvogëluar ashpërsinë e simptomave dhe prevalencën e sëmundjes.

Cilat janë shenjat dhe simptomat e sëmundjes?

Shenjat dhe simptomat e skarlatinës zakonisht shfaqen 1-4 ditë pas marrjes së infeksionit fillestar. Simptomat e para karakterizohen nga skuqje dhe dhimbje fyti ( ka raste që shoqërohet me pika ose pllaka të qelbëzuara ) dhe një temperaturë e lartë mbi 38.3 gradë C . 12-24 orë pas shfaqjes së simptomave të para shfaqen shenjat në lëkurë, fillimisht si njolla të kuqe dhe më pas kthehen në pika fine rozë në të kuqe, që duken si djegie nga dielli dhe lëkura në prekje ndihet e ashpër. Shfaqjet në lëkurë (ekzantema) fillon në pjesën e poshtme të qafës, në sqetulla, rrëzë kofshëvë, shpatulla, gjoks dhe brenda 24 orëve gjeneralizohet dhe mbulon gjithë trupin. Nëse ushtrojmë presion në lëkurë me një xham, skuqja e lëkurës do të zbardhet. Për rreth 6 ditë ekzantema në lëkurë do të zbehet. Fytyra zakonisht nuk preket, por është karakteristike veshja me një shtresë të bardhë të gjuhës ku duken ngritje me ngjyrë të kuqe, pamje e cila i jep emrin “gjuha luleshtrydhe” karakteristike e skarlatinës.

Simptoma të tjera janë:

  • ndjenja e të qenit i pafuqishëm
  • dhimbje koke
  • kruarje
  • të vjella
  • të përziera
  • humbje oreksi
  • dhimbje barku
  • zmadhim të gjëndrave limfatike të qafës të cilat bëhen të forta në prekje.

Në rast diarreje , të vjellash apo dhimbjesh të forta muskulare duhen kërkuar shkaktarë të tjerë siç është TSS (Sindroma e shokut toksik). Pasi skuqja e lëkurës kalon, në pjesën e duarve dhe të këmbëve vihet re rigjenerimi i lëkurës.

Si transmetohet infeksioni?

Infeksioni transmetohet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, spërklave nga kollitja ose teshtima e personit të sëmurë ose bartës të infeksionit, nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, nga kontakti direkt nëpërmjet puthjes ose duarve, kontakti direkt me sipërfaqen e kontaminuar, përdorimi i enëve të njëjta të ngrënies me personin e infektuar.

Cilët janë më të riskuar për t’u prekur nga skarlatina ?

Çdokush mund të infektohet nga streptokoku i grupit A dhe ethet e kuqërremta (skarlatina) por më të riskuar janë fëmijët e grupmoshave 5-15 vjeç.

Personat që kanë në shtëpi të prekur nga skarlatina ose që kanë kontakt të ngushtë me persona të infektuar.

Si vendoset diagnoza ?

Diagnoza vendoset nga mjeku nëpërmjet ekzaminimit fizik (simptomat, prekja e fytit, bajameve, gjuha karakteristike), zmadhimi i gjëndrave të qafës, shenjat në lëkurë dhe kultura e fytit ku evidentohet në laborator prania e streptokokut të grupit A.

Si ta kuptojmë që fëmija është prekur nga skarlatina dhe jo një sëmundje tjetër infektive?

Sigurisht që për vënien e diagnozës duhet ekzaminimi nga mjeku pediatër, megjithatë duhen patur parasysh shenjat karakteristike të skarlatinës:

  • dhimbja e fytit
  • gjuha e luleshtrydhes
  • skuqja e lëkurës
  • dhe prania e streptokokut në kulturën e fytit

 Cilat janë komplikacionet e mundshme nga skarlatina dhe cilët pacientë janë më të predispozuar për të bërë komplikacione?

Me përdorimin me efektivitet të antibiotikëve, pjesa më e madhe e fëmijëve të prekur nga skarlatina nuk preken nga komplikacionet. Komplikacionet e mundshme që mund të jenë të pranishme janë:

  • Infeksionet e veshit (otitis media)
  • Infeksion me qelbëzim të bajameve
  • Pneumonia Sinusitis
  • Prekje të veshkave- ku më të predispozuar janë pacientët që kanë të pranishme sëmundje të veshkave (glomerulonefriti post-streptokoksik)
  • Ethe reumatizmale (prek zemrën, artikulacionet etj)
  • Infeksione të lëkurës
  • Ekzistojnë dhe ndërlikime të rënda por që janë shumë të rralla
  • Dëmtimi i pakthyeshëm i veshkave me humbje të funksionit
  • Meningitis
  • Prekje e palcës së kockave
  • Shpërthimi i ADHD me faktor nxitës streptokokun
  • Një risk i njohur tek fëmijët me skarlatinë njihet si PANDAS- një çrregullim autoimun neuropsikik i lidhur me infeksionin streptokoksik. Në rastet kur evitohet antibiotikoterapia, risku i komplikacioneve është më i lartë.

Cilat janë metodat e trajtimit dhe çfarë duhet patur parasysh për një përmirësim sa më të shpejtë të fëmijës?

Pjesa më e madhe e simptomave të etheve të kuqërremta ose skarlatinës vetëshërohen brenda një jave dhe pa praninë e mjekimit. Mirëpo është shumë e rëndësishme të merret një kurë e plotë me antibiotikë edhe nëse simptomat janë qetësuar dhe duket sikur fëmija është shëruar, kjo pasi terapia është e rëndësishme për të zhdukur infeksionin dhe për të reduktuar rrezikun e shfaqjes së ndërlikimeve nga infeksioni streptokoksik i kaluar.

Trajtimi normalisht përfshin një kurs 10 ditor terapi orale me antibiotikë, zakonisht penicilinë ose në rast alergjie nga penicilina mund të përdorët eritromicina ose një antibiotik tjetër i përshtatshëm . Zakonisht temperatura do të stabilizohet brenda 12-24 orëve pas fillimit të dozës parë të antibiotikut dhe pas 4-5 ditëve nën terapi pacienti i rikthehet normalitetit.

Nëse brenda 24-48 orëve nga fillimi i antibiotikut fëmija nuk ka përmirësim duhet kontaktuar patjetër mjeku pediatër pasi në rast terapie joefektive ekziston risku i komplikacioneve të mundshme. Duhet theksuar se 24 orë pasi pacienti fillon antibiotikun risku i të qenit burim infeksioni dhe përhapës i sëmundjes ka kaluar, por gjithsesi regjimi i shtëpisë duhet ruajtur deri në përfundim të plotë të terapisë. Pasi është filluar terapia me antibiotikë mund të ndërmerren hapat për qetësimin e simptomave klinike. Nëse pacienti ka dhimbje fyti, ushqyerja është e vështirë dhe për të ruajtur një hidratim të fëmijës i duhen dhënë sa më shumë lëngje. Paracetamoli ndihmon në uljen e temperaturës dhe reduktimin e dhimbjeve. Mund të përdoret një pomadë freskuese që të reduktohen të kruarat.

Si mund të parandalohet prekja nga skarlatina?

Nëse fëmija ka temperaturë dhe ankon dhimbje fyti duhet kërkuar konsulta e mjekut pediater. Nuk ka vaksinë për ta parandaluar prekjen nga bakteri i streptokokut të grupit A. Mënyrat më të mira për të parandaluar transmetimin e skarlatinës janë të njëjta si për sëmundjet e tjera infektive siç është:

  • një higjienë e mirë
  • larja e shpeshtë e duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun veçanërisht pas kollitjes , teshtimës ose para përgatitjes së ushqimeve
  • flakja në vende të izoluara e kartopecetave të përdorura nga personi i infektuar
  • shmangja e përdorimit të të njëjtave gota apo enë me personin e infektuar
  • mbulimi i hundës dhe gojës gjatë kollitjes apo teshtitjes
  • izolimi i pacientit të infektuar dhe mosfrekuentimi i çerdheve, kopshteve, shkollave apo ambjenteve të tjera të përbashkëta.

Edhe njëherë vëmë theksin tek roli i antibiotikoterapisë tek skarlatina pasi ndihmon në: përmirësimin shpejt të të sëmurit, parandalimin e ndërlikimeve afatgjata tek i sëmuri dhe mbron të tjerët nga infeksioni.

Share With:
Translate »
1642 Views