Skllavërimi modern dhe gjyshërit që detyrohen të kujdesen për nipërit

Gjyshërit janë shpesh një adresë shpëtimi për shumë prindër: lënia e fëmijëve atyre, veçanërisht nëse janë të vegjël, me prindër ose vjehër, sigurisht që ka shumë anë pozitive, për sa i përket besueshmërisë, duke qenë se i njihni shumë mirë njerëzit që i lini. Të mos flasim pastaj për aspektin ekonomik.

Megjithatë, nuk është e pazakontë që disa prindër të abuzojnë me disponueshmërinë e gjyshërve duke e marrë atë si të mirëqenë, aq sa shpesh gjyshërit dhe gjyshet detyrohen të kujdesen për nipërit e mbesat e tyre.
Frymëzimi për zhvillimin e kësaj teme që përgjithësisht nuk analizohet vjen nga një pyetje e bërë nga një gjyshe tetëdhjetë vjeçare në Guardian, të cilës iu përgjigj psikoterapistja Philippa Perry.

“Duket se vajza jote po të trajton sikur nuk e meriton jetën tënde”, i tha psikoterapistja, gjyshes.

“Mendoj se ajo që ju pengon të thoni më shpesh fjalën ‘jo’ është frika ndaj vajzës suaj. Ju po i afroheni një moshe ku do të ishte e përshtatshme që ta kthenit vëmendjen ndaj vetes.

Nëse ajo ju kërkon të bëni diçka që ju zemëron, kjo është arsye e mjaftueshme për të mos e bërë. Mos prisni që ajo t’ju japë leje që të bëni atë që doni. Mund t`ju duhet të prisni gjatë”, i tha psikoterapistja.

E disponueshme po, por të jesh i gatshëm për të shkatërruar jetën e dikujt në emër të dashurisë që mund të ndiejë për një vajzë apo nip, jo. Kjo nuk ka asnjë lloj kuptimi.

Nuk ka asnjë ligj që bën përgjegjës gjyshërit për t`u kujdesur për nipërit dhe mbesat.

Në Itali, sipas një sondazhi nga Senior Italia FederAnziani, në vitin 2021, nga 12 milionë gjyshër, 46.2% kujdeseshin për nipërit e mbesat e tyre kur prindërit nuk ishin aty. 43,3% i kanë shoqëruar në aktivitete të ndryshme, 9,4% i kanë çuar në vende argëtimi dhe 7,9% për pushime.

Duke u kthyer pas në kohë, një tjetër studim i vitit 2016 zbuloi se 33% e gjyshërve në Itali kujdeseshin për nipërit e tyre gjatë ditës, krahasuar me 1.6% në Danimarkë ose 2.9% në Suedi. Në Shqipëri nuk ka studime, por gjyshër që kujdesen për nipër dhe mbesa duhet të ketë shumë më tepër.

“Detyra e gjyshërve është të mbështesin fëmijët në rolin e tyre prindëror, duke ndarë hapësirat e jetesës me nipërit e mbesat, pa zënë vendin e fëmijëve të tyre, duke i mbajtur të qartë kufijtë – deklaroi psikologu Alessandro Riçi – Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për të mos përfshirë shumë gjyshërit në kujdesin e nipërve të tyre. Secili duhet të mbajë rolin e tij, të punojë si ekip, të jetë një ekip në të cilin secili ka hapësirën e tij”.

Dhe nëse një herë e një kohë ishte shumë më e lehtë që edukimi i fëmijëve të ndahej në mënyrë të barabartë midis prindërve dhe gjyshërve, duke qenë se ishte e zakonshme që të parët dhe të dytët të ndanin të njëjtën shtëpi, sot disa studime kanë nxjerrë madje një fenomen të ri, ai i skllavërimit të gjyshërve, në thelb i detyruar të ofrojë mbështetje të llojeve të ndryshme, fizike, por edhe ekonomike.

Ajo që, apriori, mund të përfaqësonte një formulë pasurimi efektive dhe terapeutike për të moshuarit dhe prindërit, në shumë raste merr formën e skllavërisë moderne. Ku, në vend të zinxhirëve, përdoren lidhjet e forta emocionale.

Share With:
Translate »
40 Views