Të gjithë duan djalë/ Aborti selektiv vret 100 milionë femra çdo vit
Edhe pse jemi në vitin 2018, tradita zakonore e shqiptarëve që preferojnë një djalë dhe jo vajzë vazhdon ende edhe pse në forma më të përparuara, por tejet të rrezikshme. Sa herë që në familjet shqiptare lindte djalë, shtëpia kishte festë, ndërsa e kundërta kur në jetë vinte një vajzë…asnjë krismë nuk dëgjohej. Kohët kanë kaluar, por dëshira për të pasur një djalë dominon ende dhe kjo ka nxjerrë në pah një tjetër fenomen, abortin selektiv. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit më shumë se 100 milion femra në mbarë botën vdesin çdo vit dhe kjo vjen si dëshirë e prindërve për të pasur një djalë. Megjithëse në Shqipëri nuk ekzistojnë të dhëna statistikore, fenomeni i abortit selektiv nuk përjashtohet.Doktor Rustem Celami, Obstetër-gjinekolog, shprehet për Top Channel: Mjafton të jetë një rast dhe normalishjt mund të quhet se ekziston. Përgjigja është që po, ekziston në termin teorik dhe atë praktik. Por për hir të së vërtetës ne nuk kemi shifra të sakta. Aborti selektiv është një problem mbarë botërorë sidomos në vendet lindore, siç janë Kina dhe India. Për hir të së vërtetës aborti në Shqipëri lejohet, si abort në tërësi deri në 12 javë. Pra çdo grua në moshën prodhuese ka të drejtë që të kërkojë abortin pa dhënë asnjë lloj arsye deri në 12 javë. Por aborti selektiv gjinor është i ndaluar.” Por aborti selektiv jo gjithmonë vjen si kërkesë direkte, shumë nëna e fshehin atë duke e shkaktuar vetë abortin spontan.