Triumfoi e vetme mbi tragjeditë e jetës, 3 mesazhet e vëllait për motrën
Një falje, një falenderim dhe një lavdërim janë arsyet që Arjani ka thirrur Shqiponjën, motrën e tij në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Gjatë programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ai tregoi për fëmijërinë e tyre të vështirë kur humbën babain, faktin që iu desh të merrte përsipër përgjegjësitë familjare dhe për dobësinë e tij, Shqiponjën.
15 vite më parë, ajo humbi bashkëshortin nga një aksident dhe mbeti e ve në moshë të re, me tre vajza jetime duke u përsëritur kështu tragjedia familjare. Por mes gjithë furtunave, Shqiponja ia doli që me një punë modeste, me sakrifica, me buzëqeshjen e sytë që i ndrisin përmes thjeshtësisë që rrezaton, t’ia dilte. Ndaj, për të gjitha këto arsye, Arjani ka një mesazh shumë të ndjerë për motrën e tij.
Arjan: Motra ime e dashur, unë jam shumë i emocionuar dhe jam shumë i lumtur që ti erdhe dhe më ngrohe zemrën sepse duke njohur karakterin tënd unë mendoja se ndoshta mund ta refuzoje. Megjithatë sot kam ardhur për të thënë vetëm 3 gjëra të thjeshta, më dalin nga zemra. Më fal që kur vdiq babi, unë u bëra si të thuash, vëllai i madh isha, por më shumë si polici i shtëpisë, edhe pse punoja e sillja bukën e familjes por për çdo gjë isha unë që duhej të vendosja dhe sikur e kam kondicionuar pak jetën. Këtë e kam si brengë dhe e di që do më falësh sepse e kam bërë pa të keq.
Shqiponja: Je i falur Arjan. Ne të kemi në vend të babit. Vërtet ti je vëllai i madh dhe për çdo gjë mbështetemi te ju. Jo se te Luani nuk mbështetemi por prapë, nuk e di, i pari thyen akullin për çdo gjë. Kështu mendoj.
Arjan: Faleminderit. Dhe e dyta gjë, kur ty të ndodhi fatkeqësia dhe u ndodhe e vetme, me tre vajza, sado që mund të të kenë ndihmuar kunetërit, vëllezërit, motra e gjithë të dashurit ku i ke e ku s’i ke, po të mos kishe qenë e fortë nuk do të arrije këtë ditë që të shkolloje vajzat, jo vetëm t’i rrisje, t’i edukoje dhe unë e marr si shembull që ne jemi të dy burrë e grua dhe nuk arrijmë dot të bëjmë atë që ke bërë ti. Të dua fort motra ime, je krenaria jonë. Je krenaria jonë!
Shqiponja: Faleminderit! Unë shkollimin e kam pasur ëndërr dhe një gjë që s’e realizova dot te vetja u përpoqa t’ua jepja fëmijëve mesa mundesha. Por nuk isha vetëm unë që arrita t’i shkolloja, ishin ndihmat e njerëzve përveç juve, njerëzit e burrit, vetëm njeriu nuk bën dot gjithçka. Mes njerëzve.
Ardit Gjebrea: Ndaj dhe unë gjithmonë them, të gjithë bashkë mundemi.
Shqiponja: Po, mundemi.