Urinimi i pavullnetshëm tek fëmijët dhe mënyrat e trajtimit të tij

Lagia natën ose urinimi i pavullnetshëm, njohur me termin mjekësor ”enuresis nocturna’’, është një patologji që shfaqet tek fëmijët zakonisht pas moshës tre vjeçare. Rreth 15% e fëmijëve  vazhdojnë të urinojnë në shtrat pas vitit të tretë të jetës, ky problem është 1,5-2 herë më i shpeshtë tek djemtë sesa tek vajzat. Rreth 75% e fëmijëve që urinojnë natën kanë në familje një historik të të njëjtit problem, por mjekët e përjashtojnë faktorin gjenetik si shkaktar të urinimit. Stresi mund të jetë shkak për rishfajen e urinimit natën, për shembull: fillimi i shkollës, ardhja në jetë e një motre ose vëllai, abuzimi fizik ose emocional etj. Konsumi i ushqimeve që përmbajnë kafeinë ndikon gjithashtu në këtë probleme. Tregohuni të kujdesshëm me pijet e gazuara si Coca-Cola dhe me konsumin e çokollatës. kafeina rrit sasinë e urinës të prodhuar në fshikëzen e urinës (vezika urinare). Konstipacioni (kapsllëku) po ashtu është faktor rrisku. Mbetjet e feçeve në rektum mund të ushtrojnë presion dhe të irritojnë pjesën e prapme të fshikëzës. Fëmijët që vuajnë nga kapsllëku kronik urinojnë më shumë natën. Listës së shkaktarëve i shtohet edhe rrisku i paraqitur nga fëmijët me çrregullime të hiperaktivitetit (ADHD).

Si mund të trajtohet ky problem? Së pari tregohuni mirëkuptues dhe të komunikoni me fëmijën tuaj. Bëjeni të kuptojë që ai nuk është fajtor dhe se kjo situatë do të marrë zgjidhje sa më parë. Mos e frustroni psikologjikisht dhe ndihmojeni që të ketë besim në vetvete. Shumë prindër përdorin orën me zile si teknikë për të zgjuar fëmijën disa herë gjatë natës, në mënyrë që ai të ndërgjegjësohet vetë për urinimin. Kjo teknikë ka dhënë rezultate të mira tek fëmijët e moshës 7 vjeç. Ju mund të zgjidhni të përdorni orën me zile për një periudhë 3-5 muaj derisa fëmija ta përvetësojë këtë refleks. Përveç dashurisë, sigurisë dhe komunikimit, duhet ta mësoni fëmijën edhe me ndjenjën e përgjegjësisë. Kur ai të rritet pak motivojeni t’ju ndihmojë të ndërroni çarçafët e lagur.

Share With:
Translate »
2170 Views