Vdes 13-vjeçarja, dyshohet nga fruthi

Një vajzë 13-vjeçare ka ndërruar jetë në Pukë. E mitura ka shfaqur simptomat e fruthit, ndaj mjekët dyshojnë se mund të ketë humbur jetën nga kjo sëmundje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Berish, një zonë kjo e izoluar nga dëbora. Mjekët e njësisë administrative Iballë dyshojnë se të prekur nga fruthi janë edhe vëllezërit dhe motrat e viktimës.

Ata dhanë alarmin për situatën dhe menjëherë dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes u nisën drejt fshatit. Pas disa tentativave për t’u ulur, vetëm një helikopter ka mundur t’i ofrojë ndihmën familjes që humbi të miturën.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se helikopteri ka sjellë në Tiranë fëmijët që dyshohet se janë prekur nga fruthi. Mësohet se të vegjlit do të shtrohen tek Pediatria dhe pas kontrollit mjekësor do të përcaktohet nëse janë të prekur ose jo nga sëmundja e fruthit. Familja e 13-vjeçares ndodhet në një gjendje të mjerueshme ekonomike.

Share With:
Translate »
672 Views