A duhet lejuar komuniteti LGBT të zhvillojë orë të hapura në shkolla?

Ka disa javë që aktivistë të komunitetit LGBT po zhvillojnë disa leksione dhe orë të hapura në shkolla të mesme në Tiranë dhe në qytete të tjera. Shqetësimi i ngritur nga prindërit është: A duhen lejuar apo jo të hyjnë në shkolla dhe të flasin! Shqetësim i drejtë!

Fillimisht përvoja evropiane. Në Konventën Europian “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, paragrafët për arsimin gjenden në kapitullin 14, nën titullin “E drejta për arsim”, Protokollet 1 dhe 2, shkruhet: “Asnjë personi nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e çdo funksioni që lidhet me arsimimin dhe mësimdhënien, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë lloj arsimi dhe edukimi, në përputhje me bindjet e tyre filozofike dhe fetare”. Pra, sipas përkufizimit, shteti nuk mund të ndalojë asnjë njeri nga ushtrimi i të drejtës së tij për t’u arsimuar, shteti është ai që përcakton natyrën dhe fushën e veprimtarisë në arsim, gjithsesi pa u angazhuar që çdo fëmije t’i japë arsimin që dëshiron, ndërkohë që u garanton të drejtën prindërve t’u respektohen bindjet në lidhje me arsimimin e fëmijëve të tyre.

Sa i takon këtyre të drejtave, një rast interesant është ai i disa prindërve të një shkolle në Danimarkë. Në Danimarkë, shteti ka bërë pjesë të kurrikulës orën e edukimit seksual në shkollën e mesme të ulët. Por ka vendosur edhe disa kushte. Gjatë dhënies së kësaj ore mësimi: nuk duhet të ketë pornografi; nuk duhet që mësuesi ta zhvillojë orën e mësimit vetëm për vetëm me nxënësin; nuk duhet që mësuesi të japë informacion për metoda të ndryshme të kryerjes së marrëdhënieve seksuale; duhet që mësuesi të ketë shumë kujdes me fjalorin, duke mënjanuar përdorimin e fjalëve vulgare. Disa prindër, me bindjen se fëmijët e tyre nuk duhej të ndiqnin një mësim të tillë, sepse binte në kundërshtim me pikëpamjet që kishin për edukimin, e kundërshtuan një praktikë të tillë. Por duke qenë se shkolla i përjashtoi fëmijët, prindërit vendosën të hedhin shtetin në gjyq në Gjykatën Europiane. Gjykata i dha të drejtë shtetit, sa kohë që nuk bëhej fjalë për indoktrinim, apo mbrojtje të një lloji të veçantë sjelljeje seksuale që mund të konsiderohet si mungesë respekti ndaj bindjeve të prindërve.

E solla rastin e Danimarkës, fillimisht për të ndërgjegjësuar prindërit për të drejtat që kanë ndaj shkollës, për rrugët që mund të ndjekin kur mendojnë se shkolla nuk u respekton bindjet dhe moralin, si dhe për të evidentuar një element tjetër shumë të rëndësishëm: kujdesin që tregon shteti për çështje që kanë ngjyrime të theksuara etike, konkretisht duke vendosur disa kushte të caktuara vetëm për zhvillimin e kësaj lënde. Veçanërisht në ditët e sotme, kur shoqëria është bërë shumë komplekse dhe heterogjene.

Në rastin tonë, edhe ne e kemi nënshkruar Konventën Europian “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”. Pra, prindërit shqiptarë kanë të drejtë t’u respektohen bindjet e tyre morale dhe fetare në lidhje me edukimin e fëmijëve dhe njësoj si prindërit danezë kanë të drejtë t’u drejtohen institucioneve të ndryshme ligjzbatuese për të kërkuar të drejtat e tyre. Sikur edhe për të krijuar precedentin e parë. Në dijeninë time, nuk di ndonjë prind t’i jetë drejtuar ndonjë Gjykate se fëmijës së tij i janë shkelur të drejtat në një shkollë shqiptare.

Në rastin e leksioneve a orëve të hapura që kërkon të kryejë komuniteti LGBT, arsyet pro tyre janë: nuk bëhet fjalë për fëmijë të vegjël, por për të rinj të shkollave të mesme, të cilët është më e vështirë të indoktrinohen; nuk është lëndë e detyrueshme, por aktivitet; një praktikë e tillë zhvillohet edhe në shtete të tjera, për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe quhet “Java e pranimit”. Duke e zgjeruar problemin, sot flasim për fëmijë që i nënshtrohen bullizmit e u nxihet jeta në shkollë prej bashkëmoshatarëve, për shkak të orientimit të tyre seksual, por nesër mund të jetë një person i këtij komuniteti që mund të kërkojë të bëhet mësues, do ta pranojmë të japë mësim? Ose të kemi prindër të këtij komuniteti që çojnë fëmijët e tyre në shkollë, do i pranojmë në shkollë?

Shqetësim është mënyra se si trajtohet një temë kaq delikate, që mund të përbëjë edhe një nga arsyet e para për kundër. Kur solla shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe aty ka qenë i njëjti debat: prindërit janë shqetësuar, kanë kërcënuar se do marshojnë kundër shkollës dhe nuk do lejojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në aktivitet. Por në fund kanë pranuar, me kusht që shkolla të plotësojë disa kërkesa. Problemi është shumë i mprehtë dhe një nga ligjet numër një të etikës është hierarkia që kanë parimet. Të drejtat e më shumëve prevalojnë ndaj të drejtave të më pakëve. E trishtë, por kështu funksionon shoqëria. Në Amerikë, drejtues shkolle dhe prindër u ulën, diskutuan e vendosën së bashku – aktiviteti u krye.

Në ndryshim, këtu te ne, është Ministria e Arsimit që vendos dhe i vendos edhe prindërit përpara faktit të kryer, pa kuptuar se një shoqëri si e jona është shumë e shumë më tepër konservatore në disa drejtime se Amerika a vende të tjera.

Së dyti, edukimi nuk bëhet me aksione. Lufta kundër bullizmit ndaj disa fëmijëve, që kur janë të vegjël, ende të pasigurt për orientimin e tyre seksual, por thjesht sepse kanë një zë pak më të hollë, apo se janë të kujdesshëm në paraqitje, pëlqejnë a manifestojnë sjellje që duken sikur bien në kundërshtim me modelet që kemi, është e ashpër dhe e dhimbshme. Të parët duhet të jenë psikologët e shkollave që t’u paraprijnë situatave të tilla dhe t’i parandalojnë. Pastaj mësuesit. Pastaj drejtuesit. Dhe të gjithë së bashku të punojnë për të shmangur keqtrajtimin e dhunën.

Por për të qenë edhe më të ndërgjegjshëm se sa kaotike është gjendja në shkollat publike, po jap edhe një shembull tjetër konkret. Përpara disa kohësh zhvillova një pyetësor për të matur se sa janë në dijeni mësuesit për reformat që ka ndërmarrë shkolla. Pyetjes sime, se çfarë kupton me “Shkolla qendër komunitare”, një nga reformat “më të lavdishme” të Ministrisë së Arsimit, një nëndrejtoreshë ju përgjigj: “Nëse më parë prindërit vinin në shkollë vetëm një herë në dy javë, në takim me prindër, tani mund të vinë kur të duan”.

Nëse edhe “java e pranimit” të komunitetit LGBT në shkolla do të kuptohet në këtë formë, prindërit dhe gjithë shoqëria kanë të drejtë të shqetësohen.

Së treti, dikur orë të hapur quanim orën që zhvillonte mësuesi më me përvojë, në një klasë të caktuar, me mësuesit e tjerë të së njëjtës lëndë ose grup-lëndësh, për të sjellë përvojat pozitive. Nuk e di se sa të trajnuar janë njerëzit që po merren me këtë aktivitet, mbi çfarë programi po punojnë, kush e ka aprovuar, sa e si ndiqen nga nxënësit dhe pse e kanë quajtur “orë të hapur”. Shpresoj që Ministria e Arsimit të ketë një përgjigje për këtë. Dhe prindërit të mësojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.

Share With:
Translate »
624 Views