Alarmi, INSTAT: 285 vdekje më shumë se numri i lindjeve

Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave ngrenë alarmin pasi numri i popullsisë në Shqipëri po shënon rënie. Sipas raportit të INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2018-të, numri i lindjeve ka shënuar një rënie prej 18 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë tremujorit të parë 2018 lindën 5,669 persona dhe vdiqën 5,954, duke bërë që personat që u ndanë nga kjo jetë të ishin 285 më shumë se numri i foshnjave që erdhën në jetë. Shtesa e natyrore për herë të parë ka hyrë në territor negativ të paktën qysh nga viti 1923 kur u bë censusi i parë zyrtarë i popullsisë, në kohën e Mbretit Zog. Që nga ajo kohë popullsia Shqipërisë ka njohur vetëm rritje duke mos u ndalur edhe në kohën e luftës së dytë botërore, për të ndryshuar kah vetëm këtë vit. Tirana vazhdon kryeson në kontributin e shtesës natyrore të popullsisë, ku numri i lindjeve tejkalon me 443 numrin e vdekjeve. Numri i lindjeve regjistrohet me 1.872 lindje, të cilat shënojnë rënie me 11.3 për qind, në krahasim me tremujorin e parë 2017.


Qarqet problematike
Shtesa natyrore regjistron vlerë negative në shtatë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 211 numrin e lindjeve. Qarku i Gjirokastrës vazhdon tkurrjen e popullsisë, numri i lindjeve shënon 96 lindje, me një rënie prej 34.2 për qind, në krahasim me tremujorin e parë 2017. Ndiqet nga qarku i Vlorës, me një rënie të lindjeve me 29.8 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Sa i përket numrit të vdekjeve, të gjitha qarqet kanë pësuar një rënie gjatë periudhës janar-mars 2018. Rënien më të madhe të numrit të vdekjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Kukësit me 35.8 për qind dhe qarku i Lezhës me 26.9 për qind.
Projeksionet e popullsisë 2011-2031 sipas skenarit të mesëm prisnin që shtesa natyre e popullsisë të ishte në nivel negativ në vitin 2023, ndërsa varianti optimist priste që shtesa natyrore të ishte negative në vitin 2028. Por zhvillimet reale tregojnë se në të vërtetë ecuria e popullsisë në këtë mënyrë nuk është parashikuar as nga varianti me pesimist i ekspertëve të demografisë. Nëse marrin në konsideratë emigracionin, atëherë rënia e popullsisë në vendit tonë do të jetë më e shpejtë se të gjitha parashikimet edhe me pesimiste. Emigrimi i vazhdueshëm dhe lindjet e pakta do ta rëndojnë këtë efekt strukturor në kufizimin e rritjes natyrore në të ardhmen.

Share With:
Translate »
738 Views