Rrëfimi i fëmijëve dhe prindërve të gjyqtares së ndjerë Fildes Hafizi | Video

Fildes Hafizi, gjyqtarja e Shkodrës, para disa ditësh u vra nga ish-bashkëshorti. Nën dhimbje, familjarët flasin për një ngjarje të paralajmëruar, dhunë dhe kërcënime në prani të fëmijëve. Ndërsa prindërit e të ndjerës, tashmë të mbetur pa shtëpi, kërkojnë ndihmën e shtetit për të rritur dy fëmijët e mitur, Melisën dhe Arlindin. Është folur kaq shumë për reformën në drejtësi dhe korrupsionin e gjyqtarëve sa pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se çdo gjyqtar jeton në luks, në ndonjë vilë apo apartament luksoz. Nuk ka qenë ky fati dhe me sa duket edhe zgjedhja e nënës së dy fëmijëve, 38 vjeçares Fildes Hafizi. Në këtë pallat ku siç duket nuk kanë mbërritur ende bojrat dhe rikonstruksionet e demokracisë, familjarë dhe të njohur të gjyqtares së Shkodrës së ekzekutuar me gjakftohtësi nga ish-bashkëshorti, vijnë për të ngushëlluar prindërit dhe dy fëmijët e saj. Për aq sa ngushëllim mund të ketë në trupat e mpirë dhe zemrat e vrara të njerëzve me të cilët Fildesi jetonte në këto mure të plasaritura dhe mobilje modeste. Pasuria më e madhe gjendet në këto rafte të mbushur plot e përplot me libra e manuale. Arlindi dhe Melissa e quajnë shtëpia e lirisë, pavarësisht kushteve dhe varfërisë ku jetojnë pas divorcit të së ëmës nga babai, falë këmbënguljes së vetë fëmijëve, siç dëshmojnë familjarët. /Kids’ Time

 

Share With:
Translate »
1924 Views