Sëmundja e mutizmit tek fëmijët: Ja si ta kuptoni dhe ta trajtoni atë…
Sëmundja e mutizmit (paaftësia për të folur) është një nga ato sëmundje të mbetura nën hije duke qenë se janë të shumtë ata të cilët nuk e dinë se çfarë është kjo sëmundje. nga ana tjetër, studimet tregojnë se, gjithnjë e më shumë po shtohen rastet e diagnostikuara, sidomos te fëmijët. ndaj mos e nënvlerësoni atë.
Çfarë është mutizmi selektiv?
Mutizmi selektiv është paaftësia për të folur përballë të tjerëve, ndërsa kjo sëmundje prek më së shumti fëmijët. Bëhet fjalë për një shqetësim shumë të rrallë, por që në vitet e fundit ka regjistruar një numër gjithnjë në rritje nga rastet e diagnostikuara. Fëmijët me këtë çrregullim paraqesin një paaftësi totale për të folur përballë personave të tjerë, sidomos kur pyeten direkt. Në pjesën më të madhe të rasteve, ky mutizëm nuk është prezent vetëm brenda mureve të shtëpisë ose kur fëmija luan vetëm me vëllezërit. Mutizmi selektiv nuk është një sëmundje për t’u nënvlerësuar, sepse nëse nuk trajtohet, mund të çojë në probleme të mëdha në marrëdhëniet me të tjerët, në ambientin e shkollës, shoqërisë, por edhe të punës. Një mutizëm selektiv i padiagnostikuar mund të shkaktojë një seri të tërë problemesh të rënda psikologjike, nga më të rëndat që ekzistojnë, ndërsa fëmija nuk do të mund të bëjë një jetë normale.
Diagnozat e mutizmit selektiv
Të zbulosh një gjendje të mutizmit selektiv nuk është e thjeshtë, sepse fëmijët e kanë shumë të vështirë për të folur në publik, nga turpi apo frika dhe mjedisi shkollor. Ekzistojnë një sërë sinjalesh të caktuara, të cilat mund të lindin dyshimin që një fëmijë të jetë i prekur nga mutizmi selektiv.
Prindërit duhet të shqetësoheshin nëse:
Fëmija nuk flet kurrë në prezencën e të panjohurve, të njohurve dhe të miqve të familjes ose në strukturat shkollore. Ndërkohë fëmija nuk ka asnjë vështirësi për të folur në shtëpi me mamin dhe babin gjatë lojës. Pas muajit të parë të shkollës fillore ose kopshtit fëmija vazhdon të mos i përgjigjet mësueses ose fëmijëve të tjerë nëse e pyesin. Gjatë lojës në park ose në shkollë, fëmija nuk komunikon me të tjerët për të marrë pjesë në lojërat lëvizëse. Për të shprehur sikletin e tij në publik, fëmija fillon të bëjë gjeste të egra ose të lëshojë disa tinguj të shkurtër.
Shkaqet e mutizmit selektiv
Para disa kohësh ishte i përhapur mendimi që mutizmi selektiv varej nga mungesa e dëshirës së fëmijës për të folur me të tjerët. Por në fakt, me kalimin e viteve, studimet kanë treguar se shkaqet e shqetësimeve e kanë origjinën e tyre tek ankthi. Janë ankthi dhe paniku i vazhdueshëm ata që e pengojnë fëmijën të flasë, edhe kur do të donte të ishte pjesë aktive e bisedave. Shenjat e para të mutizmit shfaqen rreth moshës 5-vjeçare pikërisht për këtë motiv, kur fëmija bie në kontakt me një realitet tjetër, ndryshe nga ai i qetësisë së shtëpisë. Ndërkaq, mutizmi selektiv i shkaktuar nga një traumë e fortë psikologjike është shumë më i rrallë dhe shfaqet gjithmonë i shoqëruar nga forma të tjera shqetësimi.
Terapia për mutizmin selektiv
E vetmja rrugë për t’u trajtuar nga një shqetësim psikologjik, apo mutizmi selektiv është psikoterapia. Është e rëndësishme që qysh nga fillimi të mos e detyroni fëmijën të flasë me zor, për të evituar rritjen e ankthit dhe të stresit. Mutizmi nuk shkaktohet vetëm për shkak të një droje të vogël, por ekzistojnë probleme më të madha se kaq. Pediatri duhet ta këshillojë familjen që të shkojë te një specialist i psikologjisë për fëmijë për të bërë një vizitë të parë. Pas këtij momenti konsultativ, shkohet tek mjeku i cili do të përcaktojë me familjen tipologjinë më të mirë të ndërhyrjes dhe të terapisë. E gjithë familja, vëllezërit, motrat, bashkë me gjyshërit, duhet të përfshihen në terapi për të ndihmuar fëmijën që ta kalojë shqetësimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Shërimi është i ngadalshëm dhe gradual, mund të jetë i pjesshëm ose total në varësi të rastit, por ndonjëherë çrregullimi mund të vazhdojë, megjithëse në një formë më të butë, për gjatë gjithë jetës.