Shkolla me 80 nxënës në Grykë Çajë rrezikon të shembet

Banorët e fshatit Grykë Çajë, 36 kilometra nga Kukësi, ndihen të harruar nga shteti. Mungesa e infrastrukturës, qendra shëndetësore pa mjek dhe shkolla në rrënim e sipër plotësojnë tablonë e vështirësive të shumta të këtyre banorëve.

Me uljen e temperaturave, situata vështirësohet edhe më shumë, duke çuar në ilozim të zonës, si rrjedhojë edhe mungesë të ushqimeve dhe ikjen e herëpashershme të energjisë.

“Fiks Fare” udhëtoi drejt fshatit Grykë Çajë, ku banorët së bashku prisnin grupin e xhirimit. Ata tregojnë të irrituar harresën që shteti u ka bërë si fshat. Rrugë jo, edhe ajo ekzistuesja në dimër bllokohet nga bora, duke detyruar banorët që të udhëtojnë në këmbë drejt qytetit të Kukësit.

Të sëmurët i mbajnë në krahë me barrela derisa t’i përcjellin deri te Spitali Rajonal në Kukës. Në qendrën shëndetësore të fshatit, e cila është për 1.700 banorët e zonës, mjeku duket vetëm një apo dy herë në muaj.

Ditët e tjera, qendrën e hap dhe e mbyll infermierja. Madje, ajo shprehet për “Fiks Fare” se gratë shtatzëna i dërgojnë në Kukës që në fillim të muajit të nëntë, për t’i paraprirë çdo rreziku të mundshëm për nënën dhe fëmijën.

Mbrapa në shqetësimin e tyre nuk mbetet shkolla e fshatit, e cila është drejt rrënimit të plotë. Godina 30-vjeçare është shndërruar në rrezik për jetën e rreth 80 fëmijëve që e frekuentojnë atë. Banorët nuk lënë pa përmendur faktin se, një vit më parë u shemb ballkoni i shkollës. Fatmirësisht ishte ditë e shtunë, pushim për nxënësit.

Për të shmangur rrezikun, stafi pedagogjik ka vendosur të mbyllë katin e tretë të ndërtesës dhe procesi mësimor zhvillohet në katin e parë. Mësimi zhvillohet në klasa kolektive, nuk ka ujë e as energji elektrike, ndërsa tualetet janë jashtë funksionit.

“Askush nuk ka vënë dorë në të. Objekti paraqet rrezikshmëri. Ky ka qenë edhe vlerësimi i bërë nga një audit i Drejtorisë Arsimore në vitin 2014”, shprehet drejtori i shkollës, Mitat Shtini.

Drejtori shton se, prej vitit 2014 është kërkuar nga inxhinierët e Drejtorisë Arsimore Kukës, që në këtë objekt të ndërhyhet në mënyrë urgjente, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e kushteve.

Edhe pse numri i nxënësve ka ardhur në zbritje, drejtori pohon se vitin e kaluar, komuniteti i prindërve kërkoi ta mbyllte shkollën, por me këmbënguljen e tij vijoi të mbetet e hapur, pasi mundësi të tjera si për të marrë një tjetër objekt me qira nuk ka.

Në DAR Kukës, inxhinieri Andrit Shehu pohon se institucioni që përfaqëson është në dijeni të situatës, duke e cilësuar si një ndër shkollat problematike në Kukës.

“Pas verifikimeve të bëra në terren, prej vitit 2014 është arritur në konkluzionin se në atë godinë duhet të ketë ndërhyrje emergjente, por deri tani nuk është ndërhyrë”, pohon inxhinieri. Ai shprehet se problematikën e ka ngritur në Bashkinë Kukës dhe në Ministrin e Arsimit, për gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet kjo shkollë.

Shehu tregon se, nga Bashkia e Kukësit është në përpunim e sipër një projekt për rehabilitimin e tarracës së objektit (shkollës).

Nuk është i të njëjtit mendim drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Kukës, Vullnet Çika, i cili shprehet se shkollat në fshatin Grykë Çajë nuk ka rrezik shembjeje, por lagështirë të madhe.

“Jemi në dijeni për gjendjen e këtij objekti, kemi inspektuar, kemi hartuar një relacion, të cilin ia kemi vënë në dispozicion kryetarit të bashkisë. Pritet nga ai marrja e një vendimi për ecurinë e mëtejshme të objektit, për ndërhyrje të plotë ose braktisje të objektit. Si drejtor Urbanistike them se, rrezik shembjeje nuk ka, amortizim ka, por si strukturë nuk është se rrezikohet, por kuptohet që është ambient i papërdorshëm për kryerjen e funksionit që ka”, shprehet Çika.

Ai thekson gjithashtu se, ajo që mund të bëjë bashkia për momentin është restaurimi i tarracës, ndërsa për rikonstruksionin e plotë kërkohet fond nga shteti.

Share With:
Translate »
816 Views