Vlerat që duhet t’u mësoni fëmijëve

Fëmijët janë ajo që ne i edukojmë të jenë. Sidomos në fëmijërinë e hershme, kur ndikimet janë minimale dhe mikrobota e një fëmije përfaqësohet nga ambienti familjar. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se shembulli është gjëja e parë që transmeton vlerat tona te fëmijët. Vlerat që u mësojmë fëmijëve tanë, sigurisht që janë bindje personale, por këshillat e mëposhtme janë shtyllat tek të cilat duhet të hedhim themelet e edukimit të fëmijëve tanë…

1. NDERSHMËRIA

Të gjithë duam të rrisim fëmijë model. E megjithatë shpesh e pranojmë se “jetojmë në botën e të këqinjve”, në botën e dinakëve… Nëse me të vërtetë mendojmë se jeta është më e thjeshtë për ata që nuk respektojnë rregullat, përse askujt nuk i shkon ndërmend që t’i edukojë fëmijët me hilet dhe mashtrimet?

Të qenit të ndershëm dhe të sinqertë është një nga mësimet e para që duhet t’u mësojmë fëmijëve. Ndershmëria, integriteti moral, sinqeriteti janë vlera thelbësore për formimin personal. Janë faktori përcaktues i forcës shpirtërore, i vetëdijes dhe i vetëbesimit të çdo individi.

2. PAVARËSIA

Fëmijët kanë nevojë për ne. Kjo gjë na pëlqen kaq shumë, sa ndonjëherë harrojmë se ajo që duhet t’u rrënjosim fëmijëve tanë është që të mësojnë të jenë të pavarur. Edhe ata prindër që nuk e ekzagjerojnë me të qenit superprotektivë, shpesh pengojnë dëshirën që kanë fëmijët për të qenë të pavarur dhe “për t’u bërë të mëdhenj”. Kur zëvendësohemi me ta në zgjedhje, kur nuk pranojmë dëshirën e tyre të natyrshme për të bërë vetë diçka, kur mbivlerësojmë rreziqet dhe i ruajmë nga çfarëdolloj rreziku, nuk bëjmë gjë tjetër veçse ushqejmë varësinë e tyre ndaj nesh.

Mund ta kemi të vështirë ta pranojmë, por do të vijë momenti kur fëmijët do të ndihen më mirë pa ne, dhe atëherë do të ishte shumë mirë t’ia dalin mbanë vetëm.

3. VENDOSMËRIA

Thuhet se këmbëngulja ka më shumë vlerë sesa talenti. Edhe pse kjo gjë është e diskutueshme, është ama shumë e vërtetë se talenti nuk mund të mësohet, por zakoni i këmbënguljes, po. Për fat të keq, t’i përsërisim fëmijëve tanë se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë, nuk është e mjaftueshme që ata të bëhen të rritur të vendosur. Sepse vendosmëria dhe këmbëngulja duhen mësuar çdo ditë, nëpërmjet shembujve dhe koherencës së sjelljeve tona.

Ndonjëherë nuk e kuptojmë që u dërgojmë fëmijëve tanë mesazhe kundërshtuese: u kërkojmë atyre këmbëngulje, por inatosemi kur ata refuzojnë të pranojnë “jo”-të tona.

Një fëmijë i vendosur nuk është në gjendje të pranojë alternativa për qëllimin që i propozohet. Nuk ka asgjë të keqe, sepse fleksibiliteti dhe aftësia për të përshtatur objektivat në bazë të situatave të ndryshme, do të vijnë më pas si sjellje.

Edukimi i fëmijëve me vendosmëri është sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë, megjithatë me durim e qetësi do t’ia dilni mbanë.

4. RESPEKTI

Ka shumë prindër që duken se janë të painteresuar, jo vetëm për faktin se fëmijët e tyre nuk shfaqin respekt për tjetrin, por madje as kundrejt atyre vetë.

Në përgjithësi, janë vetë ata që mbrojnë fëmijët në çfarëdolloj situate, ndonjëherë duke mbajtur një qëndrim edhe kundër mësuesve apo edukatoreve.

Janë po ata që nuk e kuptojnë që respekti, dhe jo detyrimi, është rruga më e efektshme për të mbajtur fëmijët larg zgjedhjeve të gabuara.

Respekti për tjetrin përfaqëson themelet mbi të cilat ndërtojmë ndërveprimet tona sociale: është e domosdoshme për të ndërtuar marrëdhëniet personale, marrëdhëniet e punës, për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe për të komunikuar në mënyrën e duhur.

Është e domosdoshme edhe për të mësuar të gjitha format e tjera të respektit, të autoritetit, të rregullave dhe të vetvetes.

5. JEPNI SHEMBULLIN TUAJ

Mos harroni asnjëherë që rëndësia e vlerave nuk transmetohet vetëm duke folur. Transmetohet duke i bërë tonat këto vlerat, duke mënjanuar zakonet e këqija dhe duke mos harruar që fëmijët na vëzhgojnë gjithmonë. Nëse përgjigjemi në telefon duke thënë që babi nuk është në shtëpi, ndërkohë që ai është i ulur në divan, ajo që një fëmijë do të mësojë është se në disa raste mund edhe të gënjejë.

Pa dyshim ky është një përkushtim jo të vogël, por bëhet fjalë mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve tanë, ndaj ia vlen barra qiranë të mundohemi fort për të mirën e tyre.

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: PsychoWorld

/Revista Psikologji

Share With:
Translate »
209 Views